Vdekja e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu mbrëmjen e 7 korrikut në Lipjan ka nxitur reagime të ashpra në opinion.
Zejnullahu ndërroi jetë pas ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës për ta arrestuar pasi që i njëjti po sulmonte veturat dhe kalimtarët.
Si rrjedhojë e këtij rasti pesë zyrtarë policorë aktualisht ndodhen në ndalim dhe të njëjtit janë suspenduar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Ndërkaq sot në orën 10:30 në Gjykatën Themelore, dega në Lipjan, do të mbahet seanca dëgjimore ndaj policëve të dyshuar për përfshirje në rastin e vdekjes së një të riu 27-vjeçar në këtë komunë.
Ndryshe, Policia e Kosovës mbrëmë ka dalë me një njoftim tjetër rreth këtij rasti.
Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
Policia njoftoi se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.
Sipas PK-së, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.