Ursula von der Leyen i mbijetoi të enjten një votimi për mosbesim ndaj udhëheqjes së saj në Komisionin Evropian, shkruan Politico.
Shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian, të cilët votuan për një mocion të paraqitur nga e djathta ekstreme, e mbështetën presidenten e Komisionit.
Po të kishte humbur votimin, von der Leyen dhe pjesa tjetër e komisionit do të duhej të jepnin dorëheqje, duke e futur Bashkimin Evropian në një gjendje kaotike.
Megjithatë, nënkryetarja e Parlamentit, Katarina Barley, nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve, tha se shumë eurodeputetë janë të vendosur që kjo të jetë “mundësia absolute e fundit” për von der Leyen.
Treqind e gjashtëdhjetë eurodeputetë votuan kundër mocionit, 175 ishin pro dhe 18 abstenuan. Nga 720 eurodeputetë gjithsej, 553 morën pjesë në votim. Mocioni do të kishte kaluar nëse do të kishte marrë 360 vota pro.
Megjithëse ajo kishte mbështetjen e partisë së saj, Partisë Popullore Evropiane, si dhe të Socialistëve, liberalëve të grupit Renew dhe të Gjelbërve, shumë eurodeputetë nga këto grupe nuk morën pjesë në votim.
