Tifogrupi i FC Shkupit, “Shvercerat”, ka reaguar ashpër ndaj presidentit të klubit, Yasin Konyali, përmes një deklarate publike ku e akuzojnë për gënjeshtra, mashtrime dhe shkatërrim të brendshëm të ekipit, informon POPULLI.mk
Në deklaratë ata shprehen se kur Konyali erdhi në klub, tifozëve u fali shpresë me fjalë të mëdha dhe premtime, por shumë shpejt doli se ishin vetëm “tym, pa kurrfarë baze”. Ata e quajnë presidentin “njeri me llafe boshe, pa pikë kapaciteti për ta udhëhequr një klub me traditë si FC Shkupi”.
Shvercerat e akuzojnë Konyalin për:
Gënjeshtra mbi mbulimin e borxheve: Sipas tyre, presidenti kishte premtuar publikisht para kryetarit të tifogrupit se do t’i mbulonte borxhet e klubit, por kjo nuk ka ndodhur.
Largimin e figurave kyçe: “Fillove ta shkatërrosh klubin nga brenda. Largove njerëz që sakrifikuan gjithçka për këtë fanellë, nga Nderim Nexhipi e deri te Hamza Ramani. I detyrove të largohen prej gënjeshtrave e prapaskenave tua.”
Emërime të dëmshme: Ata kritikojnë edhe emërimin e një drejtori nga Turqia, për të cilin pretendojnë se ka futur klube në borxhe në vendin e tij dhe tani sillet në Shkup si shpëtimtar.
Krijimin e një klime frike: “As trajnerët s’duan me ardhë, as lojtarët. Kanë frikë me u afru te klubi jonë prej fjalëve tua të rreme, prej kaosit që e ke kriju.”
Në fund, Shvercerat i kujtojnë presidentit se FC Shkupi nuk është i tij, por i tifozëve dhe i Çairit:
“FC Shkupi nuk është i juaji, është i joni i Shvercerave, i Çairit, i krejt atyne që rrinin në shi, në borë, në zjarr për këtë fanellë. Nëse nuk ke respekt për emblemën, për historinë, për këtë popull që e don Shkupin, largohu vetë, para se të të largojmë ne.”
Deklarata ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, teksa tifozët presin përgjigje nga klubi dhe drejtuesit për situatën e krijuar. / © POPULLI.mk
