Familjet në vendet e Bashkimit Evropian po tregojnë një prirje gjithnjë e më të theksuar për të pasur kafshë shtëpiake sesa fëmijë. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 në BE ka pasur afërsisht 202 milionë familje, por vetëm 47.6 milionë prej tyre (23.6%) kishin fëmijë. Ndërkohë, 76.4% e familjeve ishin pa fëmijë. Rreth 91 milionë familje evropiane (46%) kishin kafshë shtëpiake.
Përqindjen më të lartë të familjeve me fëmijë e kanë Sllovakia (35.6%), Irlanda (31.0%) dhe Qipro (28.6%). Në anën tjetër, përqindjet më të ulëta janë regjistruar në Finlandë (18.0%), Lituani (19.6%) dhe Gjermani (20.1%).
Nga familjet me fëmijë, thuajse gjysma (49.8%) kanë vetëm një fëmijë, 37.6% kanë dy fëmijë dhe 12.6% kanë tre ose më shumë.
Familjet me një fëmijë janë shumicë në të gjitha vendet e BE-së, përveç në Holandë, ku dominojnë ato me dy fëmijë. Ndërkohë, familjet me tre ose më shumë fëmijë janë më të përhapura në Irlandë (20.6%), Suedi (18.1%) dhe Finlandë (17.4%).
Rreth gjysma e familjeve në BE mbajnë kafshë shtëpiake. Numri i përgjithshëm i kafshëve shtëpiake arrin në rreth 340 milionë, përfshirë 127 milionë mace, 104 milionë qen, 53 milionë zogj, 29 milionë gjitarë të vegjël, 22 milionë peshq akuariumi dhe 11 milionë kafshë terrariumi.
Sipas Federatës Evropiane të Industrisë për Ushqimin e Kafshëve Shtëpiake (PEDIAF), evropianët shpenzojnë rreth 30 miliardë euro në vit vetëm për ushqimin e kafshëve të tyre, si dhe 24.5 miliardë euro të tjera për produkte dhe shërbime të lidhura.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas regjistrimit të fundit, ka 538.348 familje, prej të cilave rreth gjysma kanë vetëm një fëmijë.
Sa i përket kafshëve shtëpiake, nuk ekziston një statistikë e saktë. Sipas të dhënave nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, në vitin 2023 janë regjistruar 84.949 kafshë shtëpiake, por vlerësohet se numri i tyre real është mbi 200 mijë.
Në vitin 2024, tregu i ushqimit për kafshë shtëpiake në vend ka tejkaluar vlerën prej 32 milionë dollarësh.
