6.8 C
Skopje
E shtunë, 28 Shkurt, 2026

Sharaa: Populli sirian është gati të luf’tojë për dinjitetin e tij

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të enjten e akuzoi Izraelin se po synon “kaos dhe shkatërrim” pas kryerjes së sulmeve ajrore kundër forcave qeveritare siriane me qëllimin e deklaruar të mbrojtjes së komunitetit druze.

Në deklaratën e tij të parë televizive pas sulmeve të fuqishme izraelite në Damask të mërkurën, Sharaa iu drejtua pjesëtarëve të komunitetit druze, duke thënë: “Ne refuzojmë çfarëdo përpjekjeje për t’ju tërhequr ju në duart e një pale të jashtme”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Ne nuk jemi në mesin e atyre që i frikësohemi luftës. I kemi kaluar jetët tona duke u ballafaquar me sfida dhe duke e mbrojtur popullin tonë, por i kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit” – tha ai në komentet drejtuar Izraelit.

Dëshmitarët në Sweida, qytet jugor sirian me shumicë druze, kishin thënë se forcat qeveritare ishin dislokuar atje me qëllimin e deklaruar të përfundimit të përleshjeve mes luftëtarëve druze dhe beduinëve, por në të vërtetë ishin bërë bashkë me këta të fundit për t’i sulmuar luftëtarët dhe civilët druze.

Autoritetet siriane njoftuan të mërkurën natën se kishin filluar t’i tërhiqnin trupat nga Sweida pas arritjes së një marrëveshjeje të re armëpushimi, për të cilën thanë se do t’u japë fund operacioneve ushtarake siriane atje, edhe pse disa udhëheqës të komunitetit druze e refuzuan paktin dhe Izraeli u zotua se do ta mbrojë këtë komunitet pakicë.

Sharaa tha në fjalimin e tij të transmetuar në televizion se populli sirian është i gatshëm që të luftojë, nëse rrezikohet dinjiteti i tij.

Ai gjithashtu pretendoi se “entiteti izraelit zgjodhi një shënjestrim të shkallës së gjerë të objekteve civile dhe qeveritare”.

Kjo çoi në “ndërlikim të konsiderueshëm të situatës dhe i shtyu çështjet drejt një përshkallëzimi të shkallës së lartë, me përjashtim të ndërhyrjes efikase të ndërmjetësve amerikanë, arabë dhe turq, e cila e shpëtoi rajonin nga një fat i panjohur”, shtoi presidenti sirian.

Sharaa më tej u zotua se do të mbahen përgjegjës ata që qëndrojnë prapa dhunës kundër pakicës druze, që e nxiti Izraelin të ndërhynte.

Sipas presidentit sirian, komuniteti druze është “pjesë themelore e strukturës së këtij kombi… mbrojtja e të drejtave dhe lirisë suaj është njëri nga prioritetet tona.”

 

 

Burimi/Nacionale

Të ngjajshme

Të fundit