Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sot duke e konsideruar hapjen e mbi 730 konkurseve publike në prag të zgjedhjeve si një përpjekje të dëshpëruar të Qeverisë për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike përballë, siç thotë ajo, “humbjes së pashmangshme” në tetor, informon POPULLI.mk
“Pas një viti të dështuar në çdo drejtim, pa reforma reale, pa progres në integrimin evropian, pa zhvillim ekonomik dhe me dështime në politikën e jashtme, kjo Qeveri po përpiqet ta mbulojë dështimin me mjete të vjetra: punësime parazgjedhore në administratë,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Por ajo që bie në sy është se BDI ka qenë për dy dekada pjesë e pothuajse çdo qeverie dhe vetë e ka përdorur këtë model punësimesh si mekanizëm për të mbajtur pushtetin dhe për të krijuar varësi politike tek qytetarët shqiptarë.
Në reagimin e saj, BDI thotë se konkurset e shpallura janë “vegla elektorale, të dizajnuara për të krijuar iluzionin e një Qeverie që ‘po punon’, kur në të vërtetë po dështon në çdo plan.” Megjithatë, një pjesë e madhe e qytetarëve i konsiderojnë këto deklarata si hipokrizi të pastër, pasi vetë BDI ndër vite ka kritikuar të tjerët për punësime, ndërkohë që ka mbushur administratën me militantë partiakë, shpesh edhe pa konkurse të rregullta.
BDI thekson se “zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendum kundër kësaj politike manipuluese,” por qytetarët pyesin se a nuk ishte pikërisht kjo parti që e ktheu administratën publike në pronë partiake gjatë gjithë qeverisjes së saj?
Në fund të reagimit, BDI thotë se qytetarët nuk manipulohen dhe do të gjykojnë në tetor. Por pikërisht ky gjykim do të vlejë edhe për vetë BDI-në, e cila sot po flet si opozitë, ndërsa realisht ka qenë pushtet për afro 20 vite dhe është përgjegjëse për modelin që sot e kritikon. / © POPULLI.mk
