Moti i nxehtë me temperatura të larta që në disa vende do të tejkalojnë 40 gradë vazhdon edhe sot. Sinoptikanët paralajmërojnë ndryshim të motit të dielën, kur priten reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, si dhe rënie e temperaturave ditore.
– Deri të shtunën (26.07) do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Temperaturat ditore në disa vende do të tejkalojnë 40 gradë dhe kudo do të jenë mbi mesataren për muajin korrik. Të dielën do të ketë destabilizim lokal me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, ndërsa temperaturat ditore do të bien, njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Sot pritet që temperaturat minimale të jenë nga 12 deri në 21°C, ndërsa ato maksimale nga 35 deri në 41°C.
Në Shkup do të mbajë mot i ngjashëm me temperaturë minimale deri në 21°C dhe maksimale deri në 41°C.
Për shkak të të nxehtit, Qeveria dje doli me rekomandime për mbrojtje nga temperaturat e larta. U rekomandohet punëdhënësve që nga sot deri të shtunën t’i lirojnë nga detyrat e punës gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, si dhe të mundësojnë punë nga distanca dhe orar fleksibël apo i ndarë në dy turne, aty ku është e mundur.
Gjithashtu, rekomandohet që puna të ndërpritet nga ora 11:00 deri në 17:00 për punëtorët që janë të ekspozuar drejtpërdrejt në të nxehtë.
Këto rekomandime nuk vlejnë për të punësuarit në infrastrukturën kritike, siç janë shëndetësia, policia, ushtria, transporti, energjetika dhe ndërmarrjet publike komunale.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë apelon që popullata t’i përmbahet rekomandimeve ekzistuese për vetëmbrojtje, të cilat përfshijnë: qëndrim në ambiente të ftohta, sidomos nga ora 11:00 deri në 17:00, konsumim të mjaftueshëm të lëngjeve, shmangie të alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara, veshje të lehta dhe me ngjyrë të çelët, përdorim të mbrojtjes për kokë dhe sy, dhe shmangie të aktivitetit fizik në orët më të nxehta.
Në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta zemre – të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore dhe të qëndrohet në ambient të ftohur (deri në 25°C) si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.




