Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish presidentin, Hashim Thaçi i cili po përballet me drejtësinë në Hagë.
Grenell përmes një postimi në “X” e ka cilësuar si të turpshëm faktin që Thaçi po mbahet ende në paraburgim, transmeton KosovaPress.
Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.
“Jack Smith (po, ai) arrestoi Thaçin në vitin 2020 kur Donald Trump po punonte për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Është shumë e turpshme që ai është ende në burg. Është një mashtrim.Haga është e prishur”, ka shkruar Grenell.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
