Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, në një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Çairit, theksoi se qeveria është e përkushtuar për të rikthyer dinjitetin dhe respektin që u takon gjeneratave që ndërtuan shtetin me punë dhe sakrificë, informon POPULLI.mk
“Pensionistët nuk kanë nevojë për mëshirë, por për dinjitet. Dhe e meritojnë plotësisht,” u shpreh Mexhiti.
Ai rikujtoi se brenda vetëm një viti janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e jetës së pensionistëve, duke veçuar rritjen e pensioneve me 7.000 denarë, një vendim që, sipas tij, tregon se politika mund të jetë mjet i dinjitetit dhe jo i harresës.
“Kjo është vetëm pika e nisjes. Ne do të vazhdojmë me vendosmëri të investojmë në shëndetin, kujdesin dhe mirëqenien e gjeneratës që i dha kaq shumë këtij vendi.”
Mexhiti njoftoi se prioritet i institucioneve do të jetë ndërtimi i infrastrukturës më të denjë për pensionistët, ofrimi i shërbimeve sociale më të ndjeshme, si dhe garantimi i barazisë dhe respektit për secilin pensionist.
Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi pensionistët për përvojën, urtësinë dhe besimin që i kanë dhënë institucioneve, duke e përmbyllur me një mesazh reflektues:
“Bashkë po ndërtojmë një të ardhme që e nderon të shkuarën dhe e vlerëson çdo kontribut.” / © POPULLI.mk




