Kryeministri Hristijan Mickoski falënderoi sot Shtetet e Bashkuara (SHBA) për uljen e tarifave doganore ndaj vendit, nga 33 në 15 përqind, por njëkohësisht shprehu pritjen se ato do të ulen më tej në periudhën e ardhshme. Ai njoftoi vazhdimin e negociatave me administratën amerikane pas pushimeve verore, në gjysmën e dytë të gushtit, transmeton Portalb.mk.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me tarifat e reduktuara doganore nga SHBA-të ndaj vendit, ai tha se kjo është faza e parë dhe se negociatat po vazhdojnë.
“Nga ajo që e patë si një njoftim nga kabineti i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kjo është faza e parë. Kjo nuk është një marrëveshje, sepse ai tha se deri më 1 gusht do të shpallte normat e reja të tarifave, por këto nuk janë tarifa, por marzhe tregtare. Ne i kemi ulur nga 33 përqind në 15 përqind. Negociatat vazhdojnë. Për momentin jemi në një pauzë relative. Menjëherë pas pushimeve vjetore që do të përdorë administrata në kabinetin Trump dhe zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, por edhe administrata jonë në ministri dhe institucione, presim të vazhdojmë negociatat në gjysmën e dytë të gushtit”, tha ai gjatë vizitës së sotme në Klinikën e rindërtuar të për veshë, hundë dhe fyt.
Ai shprehu optimizëm se tarifat do të ulen edhe më shumë, duke shprehur mirënjohje ndaj SHBA-së për korrigjimin e tarifës nga 33 në 15 përqind.
“Nga vendet fqinje, Serbia ka 35 përqind, Bosnja dhe Hercegovina ka 30 përqind, ndërsa Zvicra ka 39 përqind. Ne, si Maqedoni, jemi në të njëjtin grup me Izraelin, Norvegjinë, Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.
Me urdhrin e ri ekzekutiv të nënshkruar mbrëmë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të futur tarifa për pothuajse të gjitha vendet që nuk kanë një marrëveshje tregtare me SHBA-në, norma e tarifës për Maqedoninë është ulur nga 33 përqind që ishte më parë në 15 përqind.
Nga vendet e rajonit, Kroacia dhe Sllovenia do të kenë gjithashtu tarifë prej 15 përqind, produktet nga Serbia do t’i nënshtrohen një tarife prej 35 përqind, dhe produktet nga Bosnja dhe Hercegovina do t’i nënshtrohen një tarife prej 30 përqind. Mali i Zi do të ketë tarifën më të ulët – 10 përqind. Shqipëria do të ketë gjithashtu një tarifë prej 10 përqind.
Shtetet e Bashkuara do të kenë gjithashtu tarifë prej 15 përqind me Bashkimin Evropian, me të cilin lidhi një marrëveshje tregtare më 27 korrik të këtij viti.
Në fillim të prillit të këtij viti, Trump njoftoi fillimisht një tarifë prej 33 përqind për produktet maqedonase.
Tarifat e reja amerikane do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht, në mënyrë që të sigurohet më shumë kohë për zbatimin e tyre.




