8.8 C
Skopje
E enjte, 12 Mars, 2026

Kurti: Serbia ka përgjuar ilegalisht gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e përgjimeve të paligjshme të realizuara nga zyrtarë të lartë të Serbisë gjatë takimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Sipas Kurtit, ky veprim përbën një qasje të re sabotuese të Serbisë ndaj procesit të dialogut dhe përfaqëson një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare. Skandali doli në dritë përmes emisionit “Five” në televizionin Dukagjini, ku u publikuan incizime audio që ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviç, kishte realizuar më 17 shtator 2020 në Bruksel.

Kurti e quajti këtë një akt serioz dhe të paprecedent, që komprometon vetë procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Kemi të bëjmë me një rast të rëndë të përgjimeve të paligjshme nga Serbia, i cili ekspozon strategjinë sabotuese të saj në dialog,” tha ai në mbledhjen e qeverisë. Ndërkohë, Popoviçi u arrestua më 18 korrik në Kosovë pasi kishte quajtur UÇK-në organizatë terroriste.

Reagimet nuk kanë munguar as nga ekspertët e sigurisë dhe analistët politikë, të cilët kërkojnë që BE-ja të mbajë përgjegjësi. Analisti Afrim Kasolli deklaroi se nuk mjafton që vetëm Serbia të dënohet, por edhe zyrtarë të institucioneve të BE-së që kanë lejuar një skenar të tillë. “Është e paimagjinueshme që zyra e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri të shërbejë si burim informacionesh për shërbimet sekrete serbe,” tha Kasolli.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, theksoi se ky veprim nuk është befasues, pasi zyrtarët serbë kanë përdorur imunitetin diplomatik për të shmangur masat e sigurisë. Sipas tij, përgjimet mund të shërbejnë për analiza të thelluara të karakterit të negociatorëve dhe eventualisht për shantazhe të mundshme.

Në audio-përgjimin e publikuar, Popoviç dhe zyrtarë të tjerë serbë diskutonin me një zyrtar evropian për prona në Kosovë. Më tej, janë bërë publike edhe mesazhe që lidhin Popoviçin me një nga drejtuesit e shërbimit sekret serb, Bojan Dimiç, duke nxjerrë në pah rrjetin e spiunazhit që operon nën hijen e dialogut.

Ndërkohë, Brukseli vijon të mos reagojë zyrtarisht ndaj skandalit.

 

 

 

Burimi © SYRI.net

Të ngjajshme

Të fundit