Tre njerëz janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën në Gjilan, derisa policia ka filluar kërkimet për tre të dyshuar që ndodhen në arrati, njoftuan autoritetet e sigurisë.
Sulmi ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova” rreth orës 12:30, njoftoi drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi.
“Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur pasi janë dërguar në emergjencë për tretman të metejmë”, tha Rukiqi të dielën pasdite në një konferencë për media.
Një person po trajtohet në spital për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë që nuk kanë të bëjnë me armë zjarri, tregoi ai.
Rukiqi tha se i dyshuari kryesor për kryerjen e vrasjes së trefishtë ka të kaluar kriminale dhe është i njohur për autoritetet e sigurisë, ndërsa në përgjithësi tre të dyshuar janë në kërkim pasi ndodhen në arrati.
“Ai ka pesë raste për sulm, ka raste për prishje të rendit publik, mashtrim, fadje, kërcënim, shantazh dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, tha ai.
“Policia ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme që tre persona e përfshirë në rastin e vrasjes e kanë kryer këtë akt”, tha shtoi ai.
Më herët, Policia e Kosovës tha se është në kërkim të tre të dyshuarve për këtë rast, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, të cilëve ua publikoi edhe fotografitë dhe u kërkoi ndihmë dhe bashkëpunim qytetarëve për t’i kapur ata.