Sot shënohet 24-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, dokumenti historik që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi rrugën për barazinë e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë publike, VLEN thekson se kjo marrëveshje është rezultat i sakrificave të mëdha të atyre që luftuan për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.
“Pas më shumë se dy dekadash, ne si VLEN arritëm të realizojmë hallkën kyçe të kësaj marrëveshjeje – Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili garanton që shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi të kenë vendin e tyre të merituar në institucionet shtetërore,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas kësaj deklarate, ky ligj nuk është vetëm një akt juridik, por “kurorëzimi i një sakrifice historike” dhe dëshmi se gjaku dhe mundi i atyre që besuan në barazi nuk kanë shkuar kot.
VLEN përsëriti angazhimin për ta mbrojtur dhe çuar përpara frymën e Marrëveshjes së Ohrit, duke synuar ndërtimin e një shteti të drejtë, të barabartë dhe me dinjitet për të gjithë.
“Lavdi të gjithë atyre që kontribuuan dhe u flijuan për këtë rrugë,” përfundon deklarata.