Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kujtuar sot figurën e politikanit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Arbën Xhaferi, në 13-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Ahmeti ka theksuar se mungesa e Xhaferit ndjehet njësoj edhe pas më shumë se një dekade, duke përmendur rolin e tij vendimtar gjatë luftës së vitit 2001.
“Gjatë luftës së vitit 2001, kur kombi kishte nevojë për unitet, ai ishte aty për të bashkërenduar veprimet tona. As pas luftës, takimet dhe bashkëpunimi ynë nuk u ndalën,” ka shkruar Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka treguar edhe për marrëdhënien e ngushtë personale që kishte me Xhaferin. “Shpesh më thoshte: ‘Më konsidero si vëlla të madh’. Dhe, ashtu ishte, një vëlla i madh, një mik i urtë dhe një mendje e kthjellët që e donte kombin mbi gjithçka,” ka shtuar ai.
Ali Ahmeti e ka mbyllur mesazhin e tij me fjalët: “I përjetshëm kujtimi për Arbën Xhaferin!”




