32.5 C
Skopje
E enjte, 6 Gusht, 2026

Përsëri edhe sivjet, Universitetet e RMV-së jashtë 1000 më të mirëve në botë!

Në krye të listës sërish dominojnë universitetet amerikane. Harvard është renditur në vendin e parë, Stanford në të dytin dhe Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT) në të tretin, një renditje identike me dy vitet e kaluara. Nga Ballkani, më lart në listë është Universiteti i Beogradit.

Organizata “ShanghaiRanking Consultancy” ka publikuar Renditjen Akademike të Universiteteve Botërore për vitin 2025, e njohur si “Lista e Shangait”. Edhe këtë vit, ndër 1000 universitetet më të mira në botë, nuk ka asnjë institucion të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut.

Në krye të listës sërish dominojnë universitetet amerikane: Harvard në vendin e parë, Stanford në të dytin dhe MIT në të tretin. Në vendin e katërt është Cambridge i Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa në të pestin Universiteti i Kalifornisë – Berkeley.

Serbia edhe këtë vit ka përfaqësues në listë – Universitetin e Beogradit, i cili renditet mes pozicioneve 401–500, njësoj si vitin e kaluar, duke qenë universiteti më i lartë i renditur nga vendet e Ballkanit.

Universiteti i Lubjanës gjendet në pozicionet 501–600, pa ndryshime nga viti i kaluar.

Kroacia ka Universitetin e Zagrebit, i cili këtë vit ka pësuar rënie duke u renditur mes 601–700, krahasuar me vitin e kaluar kur ishte në pozicionet 401–500.

Greqia është në listë me katër universitete: më të lart renditurit janë Universiteti Aristoteli i Selanikut dhe Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës (601–600), pasuar nga Universiteti i Kretës (801–900) dhe Universiteti i Patrës (901–1000).

Përveç Maqedonisë së Veriut, në listën e Shangait nuk figuron asnjë universitet nga Bullgaria, Shqipëria apo Kosova.

Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi deklaroi se pret që gjatë këtij mandati të qeverisë universitetet maqedonase “t’i afrohen më shumë mijëshes së parë në Listën e Shangait”.

“Pres që të rinjtë shkencëtarë të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim, të përdorin bazat e të dhënave të revistave shkencore, të ndjekin trendet botërore dhe të publikojnë punimet e tyre, duke kontribuar që universitetet tona të afrohen drejt mijëshes së parë sipas Listës së Shangait, e cila është një nga listat më të rëndësishme referente në botë. Pres që kjo të ndodhë gjatë këtij mandati të kësaj qeverie. Ne si qeveri po bëjmë gjithçka”, tha Mickoski.

“Lista e Shangait”, e njohur edhe si Renditja Akademike e Universiteteve Botërore (ARWU), e vlerëson performancën kërkimore të institucioneve të arsimit të lartë sipas gjashtë treguesve, duke përfshirë numrin e fituesve të Çmimit Nobel dhe Medaljes Fields mes ish-studentëve dhe stafit, numrin e studiuesve më të cituar, punimet e botuara në revistat Nature dhe Science, si dhe punimet e indeksuara në bazat kryesore të citimeve. Secili tregues ka peshën e vet, ndërsa universiteti i renditur i pari merr 100 pikë, me pjesën tjetër të renditjes që llogaritet si përqindje nga kjo pikë.

Që nga qershori i këtij viti, Universiteti më i mirë maqedonas, Shën Kirili dhe Metodi (UKIM), nuk është më as në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë, të përpiluar nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR) me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe. Vitin e kaluar, UKIM renditej në vendin e 1990-të në këtë listë.