35.5 C
Skopje
E enjte, 6 Gusht, 2026

Ahmeti prezanton logon e re të AKI-së: “Duart e bashkuara, simbol i fitores dhe integrimit europian”

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka prezantuar logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), me të cilën kjo forcë politike do të garojë në zgjedhjet e tetorit, informon POPULLI.mk

Në fjalën e tij, Ahmeti tha se logoja e re është shenjë bashkimi dhe besimi mes shqiptarëve, në një kohë që ai e cilësoi të vështirë për vendin.

“Me logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim hyjmë të bashkuar në zgjedhjet e tetorit. Jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin europian ku duam të arrijmë,” u shpreh Ahmeti.

Ai theksoi se sot më shumë se kurrë nevojitet bashkim, fillimisht mes shqiptarëve, por edhe mes të gjithë qytetarëve që besojnë në një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Ahmeti shtoi se logoja me duart e bashkuara simbolizon fitoren, besimin dhe integrimin europian, duke kujtuar se e ardhmja e vendit është vetëm në familjen e madhe europiane.

“Duart e bashkuara janë mesazhi ynë: vetëm së bashku ndërtojmë të ardhmen që meritojmë,” përfundoi Ahmeti. / © POPULLI.mk