Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, ka uruar sot nxënësit, mësuesit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, informon POPULLI.mk
Në urimin e tij, Mexhiti theksoi rëndësinë e kësaj dite për nxënësit e klasës së parë, të cilët nisin një etapë të re në jetën e tyre, si dhe për të gjithë nxënësit e tjerë që vazhdojnë rrugëtimin drejt dijes.
“Shkolla është hapësira ku fëmijët mësojnë të jenë bashkë, të ndajnë vlera dhe të formohen si qytetarë të ardhshëm. Për këtë arsye, përkushtimi ynë për arsimin është prioritet i përditshëm”, u shpreh ai.
Mexhiti bëri të ditur se gjatë muajve të verës janë vizituar të gjitha shkollat e Çairit dhe se në shumë prej tyre janë kryer ndërhyrje në infrastrukturë, duke përfshirë riparimin e klasave, përmirësimin e ambienteve sanitare dhe rritjen e sigurisë për nxënësit. Po ashtu, sipas tij, janë marrë masa për pastrim dhe mirëmbajtje, me qëllim që mësimi të zhvillohet në kushte të rregullta.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për mësuesit, të cilët, siç tha, me përkushtimin e tyre mbajnë mbi supe një nga përgjegjësitë më të mëdha – formimin e brezave të rinj.
“Urime viti i ri shkollor! Uroj që të jetë një vit i mbushur me rezultate dhe arritje për të gjithë nxënësit dhe mësuesit tanë”, përfundoi urimin e tij Mexhiti. / © POPULLI.mk
