Tash dhe për një kohë shumë të gjatë, nuk ka gjasa të gjinden deputetë shqiptarë që do të pajtoheshin të hiqet “shumica e Badenterit”…ndaj dhe paralajmërimi ose vetëm ideja e ministrit të drejtësisë, mbetet për konsum elektoral…
Nga Daut DAUTI
- Rober Badenter është një nga emrat më të adhuruar te bashkëqytetarët tanë maqedonas, me të drejtë, sepse si udhëheqës i Komisionit Arbitrar në vitet 1991-92, kishte marrë qëndrim në favor të pavarësisë së Maqedonisë nga RSFJ-ja, me arsyetimin se “përdorimi i emrit të Maqedonisë nuk implikon pretendime territoriale ndaj cilitdo shtet tjetër”. Ky argumentim është përdorur ndër vite kundrejt kontestimeve greke që thoshin të kundërtën, madje ka qenë thelbësore edhe në vendimin e Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtës që ishte në favor të Maqedonisë sa i përket atij kontesti për emrin e shtetit.
Shpesh qëndrimet e Komisionit Arbitrar( të cilin e kanë personalizuar edhe si Komisioni i Badenteit), janë përdorur edhe për konsum të brendshëm, sikur kushtetuta e Maqedonisë gëzon standarde të lakmueshme që garanton liri dhe të drejta qytetare, për t’iu kundërvënë kërkesave “maksimaliste” të shqiptarëve. Përkundër këtij diskursi kur (keq)përdorej emri i juristit të njohur francez, i cili në moshën 95 vjeçare ndërroi jetë vitin e kaluar), kushtetuta e Maqedonisë gjeneroi kriza të vazhdueshme, për të ardhur te ajo më seriozja e vitit 2001.
Dhe, pikërisht asaj krize, do t’i jepet fundi me një marrëveshje politike, në të cilën një nga shtyllat e saj do ta mbajë emrin e Badenterit. Është ai mekanizmi i vendosjes, që sot e kësaj dite i ka mbetur emri “shumicë e Badenterit” që nënkupton që për çështjet e caktuara që u përkasin të drejtave etnike, të vendoset me dy të tretat e votave në Kuvend, ku duhet të votojnë më shumë se gjysma e pjesëtarëve jo shumicë. Marrëveshjen Kornizë, me këtë parim vendosjeje brenda, do ta nënshkruajnë liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM dhe liderët e dy partive më të mëdha shqiptare, PPD dhe PDSH dhe në mënyrë indirekte, edhe lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Dhe është kategori kushtetuese, një mekanizëm mbrojtës nga majorizimi.
Fakti se kush e ka nënshkruar atë marrëveshje është me rëndësi të theksohet për shkak se pinjollë të atyre partive, sot, sikur duan të bëhen pishmanë, sikur duan ta reformojnë kushtetutën duke dalë jashtë kornizës! Ideatori më i ri për diçka të tillë, është ministri i Drejtësisë, Igor Filkov. Ndoshta nuk ka shumë origjinalitet në idenë e tij, sepse disa muaj më parë, edhe lideri i partisë së tij-ZNAM, Maksim Dimitrievski, e hodhi si qëllim. Larg kësaj s’ka qenë as kryeministri, të cilit gazeta Koha ia përkujtoi se ç’kishte thënë para më shumë se një viti.
Prej ku buron kjo tendencë e ridefinimit të aspekteve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja Kornizë?
Kjo buron nga shumë teza të diskutueshme rreth vitit 2001. Ndër vite ka pasur zëra me ndikim në skenën politike dhe jetën shoqërore që kanë thënë se Marrëveshja Kornizë është e imponuar nga faktori ndërkombëtar dhe se në një klimë “më të volitshme”, ajo duhet të revidohet. Të tjerë 2001-shën e kanë quajtur “agresion nga Kosova” dhe rezultatet e atij agresioni, duhet të fshihen. Disa kanë shkuar më tutje duke kërkuar një moment të volitshëm edhe për “pjesë të dytë të lojës”, që ta fshijnë atë që shqiptarët “e kanë arritur me luftë”… etj.etj.
Nga ana tjetër, është interesant pozicionimi kundër “Badenterit” nga ato subjekte të cilat kanë qenë më parë në pushtet, por nuk u ka penguar. VMRO-ja dy mandate me BDI-në ka qenë dhe çështjet për shumicë Badenteri ose janë evituar për t’i vënë në rend dite, ose janë tejkaluar me marrëveshje, pa e detyruar Këshillin për Marrëdhënie midis Bashkësive që të trajtojë ndonjë çështje të tillë. Edhe Maksim Dimitrievski ka qenë pjesë e LSDM-së dhe deri në prishje të marrëdhënieve brenda partisë së tij dhe daljes prej atje, nuk e ka çuar zërin asnjëherë. A thua tash ministri i këtij të fundit dëshiron të hedhë një karrem para zgjedhjeve lokale me të cilin dëshironte të tërheqë votues me diskurs nacionalist?
Duke i lënë anësh të gjitha këto diskurse nga defetiste e gjer te ato fataliste e aventuriste, gjërat janë praktike: si do të mund të zhbëhej ”shumica e Badenterit” nga Kushtetuta?
Përgjigja është se “Badenteri” mund të hiqet vetëm me “Badenter”! Kjo do të thotë se as Dimitrievski, Filkovi apo kushdoqoftë tjetër, nuk mund ta votojë ndryshimin e Kushtetutës vetëm me vota maqedonase. Në këtë moment, përveç opozitarëve shqiptarë, partitë maqedonase në pushtet përgjigje morën edhe nga vetë partnerët e koalicionit: “pa mbështetjen e deputetëve shqiptarë, çdo iniciativë për ndryshimin e Badinterit është juridikisht e pamundur, dhe se diskutimet në këtë drejtim janë vetëm diversion nga prioritetet reale të vendit.”, ka qenë reagimi i ministrit Arben Fetai.
Narativi parazgjedhor mund t’u lejojë aktorëve politikë t’i japin krahë fantazisë dhe të krijojnë iluzione të rrejshme te votuesit që ndoshta intimisht duan diçka të tillë. Ndërkaq realiteti për ta është dekurajues. Një “operacion” të tillë nuk do të mund ta realizonin as përmes Gjykatës Kushtetuese ku morën në thua “balansuesi”(akt i kryer edhe me marrëveshje midis partnerëve të koalicionit) dhe gjuha(në proces të “hamendjes”!). As gjykatësit me fantazi më të bujshme, nuk do të mund të shpiknin diçka kundër “shumicës së Badenterit”, i cili është një parim që ka zënë vend në legjislaturën e shumë vendeve me strukturë të ngjashme etnike si Maqedonia V.
- Vitin e kaluar më bëri përshtypje (vetë)largimi i një gazetari nga një televizion ku ai kishte kaluar afro dy dekada. Arsyeja e largimit ishte mospajtimi me ndryshimin e politikës redaktuese të këtij televizioni drejt një opsioni politik. Kjo është një shemë e mundshme e konfliktit midis stafit redaktorial dhe gazetarëve, ose edhe midis pronarëve dhe stafit profesional.
Një mospajtim interesant me ndryshimin e politikës redaktuese e shprehu edhe gazetarja e TV Alsatit, Xhemazije Rizvani, e cila në një postim në Facebook, arsyetoi largimin e saj kështu: “Ashtu si çdo fushë e artit që shpesh ul nivelin për t’u përshtatur me shijet e publikut, edhe media është e detyruar të ndjekë të njëjtën rrugë për të mbijetuar. Unë, si kritike e ashpër e këtyre prirjeve në art, nuk mund të pranoj të argëtoj publikun në vend që ta vetëdijësoj atë. Prandaj, rrugët e mia ndahen me median ku kam punuar gjatë këtyre viteve. Institucioni ka qenë shumë korrekt në trajtimin ndaj punëtorit, por pikëpamjet tona ndryshuan në momentin kur u zgjodh një politikë redaktoriale më argëtuese, e cila bie ndesh me bindjet e mia për atë që përfaqëson vlerë…”.
E drejt e mediumit është të zgjedhë rrugën që mendon se është më e përshtatshme për të zgjeruar audiencën, pra edhe përmes konceptit të sprovuar tashmë diku tjetër, por keqardhja këtu duhet të jetë e madhe nëse në 24 orë program, nuk mund të gjejë pak hapësirë edhe për kulturën, ashtu siç në këtë rast e mendon një gazetare.
Në të vërtetë, çështja është edhe pak më e thellë në kontekst shoqëror, në raportet medium-publik, pasi siç po shohim te televizionet shqiptare, më mirë kalojnë ato që kanë “big-brothera”, “ferma”, “përputhen”, “ishuj dashurie”, “voice talenta” e ngjashëm…, ku alfa e omega janë profile si Gjesti apo Luizi e të ngjashëm, se emisione ku trajtohet libri, filmi, teatri…Dhe është për të të ardhur keq kur mediat private, i qasen kulturës me dioptrinë e biznesit. Si një rast ekzemplar i devalvimit të vlerave më ka mbetur në kujtesë promovimi i monografisë së Halil Zendelit kushtuar nobelistit Ferid Murati në Akademinë Shkencave të Shqipërisë. Me gjithë auditorin e respektueshëm intelektual që ishin mbledhur në Akademi, aty ishte gjendur vetëm një kamerë televizive! Meqë isha i ulur në binë ku do të flisja në cilësinë e recensentit, përnjëherë vërejta një komunikim të panatyrshëm midis kameramanit dhe autorit të librit, me ç’rast ky në mënyrë diskrete i jepte shenjë me dorë që të largohej. Kur pas promovimit e pyeta se për çka ishte fjala, Halil Zendeli më thotë se ai kameramani i kërkonte para nëse donte që të jepej lajmi në TV-në e tij! Kjo më së miri e tregon, pa përgjithësime natyrisht, se si trajtohet kultura në shumë media, ku as kemi promovime, as kemi premiera, as ekspozita, as manifestime letrare…, por veç lajme sa më të zeza dhe argëtim pa fund!
Prandaj ky largim revoltues i një gazetareje nga mediumi ku ka lënë gjurmë duke trajtuar tema të kulturës, duhet t’i sensibilizojë mediumet se megjithatë, nëse ka diçka me vlerë, kjo nuk është as politika që prodhon lajme, as shoubizi që xiglon vëmendjen e shikuesve, por kultura, sado që mjedisi ynë, ndoshta dhe nuk është aq i prirë për të konsumuar, por kjo nuk do të thotë se media nuk duhet ta “ndihmojë” në këtë drejtim.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)
