Edon Zhegrova bëri një rikthim të bujshëm me Juventusin në ndeshjen dramatike ndaj Borussia Dortmundit. Kosovari, që deri pak ditë para duelit nuk pritej as të ishte në stol, u fut në lojë në minutën e 87-të dhe brenda dhjetë minutash u bë protagonist. Pas një driblimi, ai shërbeu topin për Vlahovic, që asistoi golin e barazimit 4-4 të Kelly-t në minutën e 96-të.
Ky ishte një lehtësim i madh për Zhegrovën, i cili vuajti nga pubalgjia gjatë sezonit të kaluar dhe rrezikonte të mos ishte pjesë e listës për Ligën e Kampionëve. Forma e tij fizike e përmirësuar bëri që trajneri Igor Tudor ta grumbullonte dhe të besonte tek ai në momentin e duhur.
Tani pritet që kosovari të ketë më shumë minuta edhe në ndeshjen e radhës kundër Veronës, edhe pse titullarizimi duket ende i parakohshëm. Për Zhegrovën, rikthimi në fushë pas muajve të vështirë është tashmë një fitore, ndërsa objektivi mbetet të gjejë vazhdimësinë dhe ndikimin e tij te “Zonja e Vjetër”.
