Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, bashkë me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, kanë prezantuar sot në Sheshin “Skënderbeu” fazën e re të portalit të shërbimeve publike, i cili tashmë ofron më shumë mundësi për qytetarët dhe kompanitë, informon POPULLI.mk
Mexhiti theksoi se portali është i aksesueshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, në tre gjuhë – shqip, maqedonisht dhe anglisht – dhe mund të përdoret lehtësisht nga kompjuteri apo telefoni. “Me vetëm disa klikime mund të aplikoni, të paguani dhe të përfundoni shërbimet online, pa pritje dhe pa sportele”, u shpreh ai.
Portali i dedikohet si qytetarëve, ashtu edhe bizneseve. Për qytetarët ofrohen shërbime si marrja e ekstrakteve, certifikatave, letërnjoftimeve, dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve nga Kadastra. Ndërsa për kompanitë janë të mundshme licencat, vërtetimet për stazh e punësim, vërtetimet gjyqësore dhe shërbimet nga Agjencia e Ushqimit.
Një risi e rëndësishme ka të bëjë me studentët, të cilët përmes këtij portali mund të aplikojnë për vauçera për pajisje elektronike si laptopë apo kompjuterë, duke ndjekur në kohë reale statusin e aplikimit.
Mexhiti gjithashtu njoftoi se së shpejti Komuna e Çairit do të digjitalizojë të gjitha shërbimet e saj, duke sjellë standarde të reja dhe moderne për qytetarët.
“Ftoj çdo qytetar, kompani dhe sidomos studentët, të regjistrohen dhe ta bëjnë këtë portal pjesë të përditshmërisë, sepse çdo shërbim administrativ do ta marrin më lehtë dhe shpejt”, deklaroi zv.kryeministri i parë.




