13.8 C
Skopje
E shtunë, 18 Tetor, 2025

Shtyhet seanca ndaj Erion Veliajt për shkak të bojkotit të avokatëve

Seanca gjyqësore ndaj Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve, të cilët vijojnë bojkotin kombëtar në shenjë proteste pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkotin për datat 9 dhe 10 tetor 2025, duke pezulluar të gjitha proceset gjyqësore dhe hetimore në vend, përfshirë ato penale, civile dhe administrative, në shenjë solidariteti dhe për të kërkuar më shumë siguri për aktorët e drejtësisë.

Për pasojë, seanca e sotme ndaj Veliajt është shtyrë për më 21 tetor, në orën 09:00, ku pritet të zhvillohet seanca paraprake që do të përcaktojë nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim.

Në dosjen e dërguar për gjykim nga SPAK, ndaj Erion Veliajt rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, 12 akuza.

Akuzat përfshijnë korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme para dhe pasuri të paluajtshme përmes subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

 

 

Burimi /rtsh.al/

Të ngjajshme

Të fundit