15.8 C
Skopje
E hënë, 20 Tetor, 2025

Blerant Ramadani uron Muhamet Elmazin për fitoren në Saraj

Kandidati për kryetar komune në Saraj, Blerant Ramadani, ka reaguar pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, ku fitues u shpall kandidati i koalicionit VLEN, Muhamet Elmazi, informon POPULLI.mk

Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Sarajit, Ramadani shprehu falënderim për mbështetjen që ka marrë dhe theksoi se “zgjedhjet mund të kenë përfunduar, por rrugëtimi për idealet dhe dinjitetin e këtij vendi sapo ka hyrë në një fazë të re”.

“Unë e uroj kundërkandidatin për rezultatin dhe i dëshiroj sukses në shërbim të komunës sonë. Por mbi çdo fitore numerike qëndron një fitore më e madhe, ajo e ndërgjegjes, e besës dhe e qëndrimit për të vërtetën”, theksoi Ramadani.

Ai shtoi se kjo garë nuk ishte vetëm një proces politik, por një “sprovë karakteresh”, që sipas tij, ka treguar qartë dallimin mes atyre që qëndrojnë për parime dhe atyre që i shesin për interesa të momentit.

Duke përdorur një krahasim nga Beteja e Hendekut, Ramadani tha se humbjet nuk janë dështime, por zbulesa që ndajnë të vërtetët nga oportunistët:

“Sprovat nuk të rrëzojnë, por të pastrojnë nga ata që nuk i përkasin rrugës tënde. Ne do të vazhdojmë këtë betejë me të njëjtin besim, me të njëjtën dashuri për Sarajin dhe me kokën lart”.

Në fund të mesazhit të tij, Ramadani u zotua se do të mbetet pranë qytetarëve, duke e parë politikën si mision moral, jo si karrierë:

“Ideali ynë është më i madh se çdo mandat. Ne luftojmë për një politikë që nuk blihet, për një Saraj që ngrihet mbi dije, punë dhe ndershmëri. Kjo është rruga jonë – jo e lehtë, por e drejtë”. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit