Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e katërt e numërimit të votave që kanë ardhur nga diaspora, kurse procesi po hyn në fazën përmbyllëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri sot në orën 10:00, janë numëruar 104 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 93 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se nga 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.
“Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi. /21Media