POPULLI.mk nga burime të sigurta mëson se eksponentë të lartë të AKI-së kanë nisur bisedime të fshehta me partinë Levica, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të ndërsjellë për raundin e dytë në zgjedhjet lokale.
Sipas burimeve tona, negociatat janë fokusuar në komunat e Tetovës dhe Strugës, ku AKI kërkon mbështetjen e Levicës në raundin e dytë. Në këmbim, AKI do të ofronte ndihmë në Qytetin e Shkupit, ku Levica synon të fitojë kundrejt VMRO DPMNE-së. Ndryshe, sot VLEN ka publikuar marrëveshjen me kandidatin e VMRO-së në kryeqytet.
AKI ka dështuar rëndë në zgjedhjet komunale, duke humbur terren në disa nga komunat më të mëdha dhe me rëndësi strategjike. Humbjet e thella në zonat urbane kanë shkaktuar pakënaqësi të brendshme dhe tensione mes strukturave lokale.
Në terren, situata shihet si tentativë e AKI-së për të ruajtur ndikimin politik përmes manovrave taktike, ndërsa Levica, sipas disa analistëve, po shfrytëzon momentin për të konsoliduar bazën e saj elektorale në Shkup.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga asnjëra palë, ndërsa POPULLI.mk do të vazhdojë ta ndjekë këtë zhvillim nga afër.