21.8 C
Skopje
E shtunë, 8 Gusht, 2026

Pazare të reja në Gostivar, mund të kemi ndarje të heshtur BDI – ASH!

Pas humbjeve të thella në disa komuna në zgjedhjet lokale, në opinionin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut po shtrohet një pyetje e nxehtë, a do të ndahet Bashkimi Demokratik për Integrim nga Aleanca për Shqiptarët në Gostivar, apo dy partitë do të vazhdojnë bashkëpunimin politik edhe në këtë komunë strategjike?, shkruan POPULLI.mk

Burime brenda dy subjekteve politike thonë se ka pakënaqësi të theksuara në strukturat lokale të BDI-së, të cilat po kërkojnë që partia të dalë me kandidat të vet. “BDI nuk mund të qëndrojë më në hije të Aleancës në Gostivar, sidomos pas rënies së mbështetjes në qytetet tjera”, thotë një burim partiak që kërkoi anonimitet.

Ndërkohë, në anën tjetër, mbështetësit e bashkëpunimit mes dy partive mendojnë se ndarja do të ishte gabim strategjik, duke pasur parasysh rrezikun që vota shqiptare të copëtohet, duke i hapur derën forcave të tjera politike.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse Ali Ahmeti do t’ia lërë sërish komunën e Gostivarit Arben Taravarit, si një gjest bashkëpunimi, apo do të vendosë të rikthejë kontrollin politik në këtë bastion simbolik për shqiptarët. Analistët politikë vlerësojnë se pas “debaklit elektoral” në komunat tjera, Ahmeti mund të kërkojë rishpërndarje të ndikimit lokal, dhe Gostivari mund të jetë pika e kthesës.

Në javët në vijim priten zhvillime të rëndësishme që mund të përcaktojnë fatin e koalicionit BDI–ASH dhe balancat e reja të forcave në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk