Luciano Spalletti është trajneri i ri i Juventusit. “Zonja e Vjetër” ka zyrtarizuar akordin me trajnerin 66-vjeçar.
Tekniku toskan ka nënshkruar një marrëveshje deri më 30 qershor 2026, me të drejtën e rinovimit edhe për një tjetër sezon në rast të kualifikimit në Ligën e Kampioneve.
Spalletti e ka nisur karrierën 30 vite më parë, ndërsa konsiderohet si një nga trajnerët më inovatorë të kampionatit italian.
Në fillim të viteve 2000, me Udinezen siguroi për tri vite radhazi kualifikimin në kompeticionet europiane. Në sezonin 2004/05 siguroi kualifikimin e parë historik në Champions League për klubin friulian.
Në vazhdim, u bë pjesë e Romës për 4 sezone, me të cilën fitoi dy Kupa Italie dhe një Superkupë të Italisë.
Nga viti 2009 deri në 2014, Spalletti ka drejtuar Zenit Shën Petersburg, me të cilin ka fituar dy kampionate, një kupë dhe një superkupë të Rusisë.
U rikthye në Itali, ku u ul sërish në stolin e verdhekuqve, e më pas në atë të Interit.
Kampion i Italisë në fund të sezonit 2022/23 me Napolin, tekniku toskan më pas ka qenë trajneri i Kombëtares Italiane deri në qershorin e kaluar.
Tashmë, atë e pret një kapitull i ri me Juventusin, klub ku pritshmëritë janë të mëdha!
Burimi / Klan News
