Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka njoftuar sot për një zhvillim të rëndësishëm në kuadër të projektit strategjik Korridori Hekurudhor 8, duke bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e tunelit të përbashkët kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, informon POPULLI.mk
Në njoftimin e saj, Zekolli Shaqiri e cilësoi këtë moment si “një hap historik drejt përfundimit të Korridorit 8”, duke theksuar se projekti nuk përfaqëson vetëm një linjë transporti, por një urë bashkëpunimi rajonal me rëndësi të madhe strategjike, ekonomike dhe të sigurisë për të gjithë Ballkanin dhe Evropën.
“Ky projekt nuk është vetëm një linjë hekurudhore – është një urë bashkëpunimi rajonal, me rëndësi strategjike, ekonomike dhe të sigurisë për Ballkanin dhe për Evropën,” ka theksuar ajo.
Zëvendësministrja kujtoi se faza e parë e Korridorit 8 është përfunduar dhe vënë në funksion gjatë këtij viti, ndërsa punimet për fazën e dytë, nga Beljakovcë deri në Kriva Pallankë, janë në zhvillim, me afat përfundimi në tetor të vitit 2026.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një rrjeti hekurudhor modern dhe të integruar, që do të forcojë lidhjet tona me vendet fqinje dhe do të hapë perspektiva të reja për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim rajonal,” përfundoi Zekolli Shaqiri. / © POPULLI.mk
