Shqipëria e Sylvinhos vazhdon të jetojë një moment magjik. Pas kualifikimit në Kampionatin Europian, kuqezinjtë kanë siguruar për herë të parë një vend në “Play Off”-in e Kupës së Botës, duke hapur rrugën drejt një ëndrre edhe më të madhe.
Edhe pse rrugëtimi i marsit pritet të jetë tepër i vështirë, ekipi ka treguar se është gati të luftojë deri në fund.
Triumfi 0-1 ndaj Andorrës vulosi jo vetëm kualifikimin në Play Off, por edhe një tjetër rekord historik: 5 fitore radhazi, diçka që Shqipëria nuk e kishte arritur kurrë më parë. Seria e artë përfshin sukseset ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe Andorrës, një formë që dëshmon rritjen e qëndrueshme të skuadrës.
Sfida e radhës për kuqezinjtë është superndeshja me Anglinë më 16 nëntor. Edhe pse objektivisht e komplikuar, rezultati ndaj Anglisë nuk do të ndryshojë asgjë për pozicionin e Shqipërisë, pasi fitorja në Andorrë mbylli matematikisht çështjen e vendit të dytë.
Burimi/Top Channel
