Albin Kurti i cilëson shumë të mira marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Gjatë një interviste për mediat vendase, kryeministri në detyrë tha se kritikën më të madhe që ka marrë nga ndonjë zyrtar i SHBA-së gjatë detyrës, ka qenë në fund të majit 2023, kur katër kryetarët shqiptarë të komunave në veri morën detyrat e tyre.
“Ne jemi miq pavarësisht kritikave. Veprimi ynë ka qenë ligjor e parimor. Integriteti, sovraniteti shtetëror, paqja e rendi publik janë të panegociueshme” tha Kurti, duke shtuar se nuk pret që SHBA të ketë të njëjtin qëndrim si Kosova për Serbinë, për të cilën u shpreh se mospëputhjet mes dy vendeve janë lidhur me Beogradin.
Ai njoftoi gjithashtu se vendi i tij ka filluar të pranojë migrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, duke konfirmuar nisjen e zbatimit të marrëveshjeje me administratën e Presidentit Trump, që parashikon që Kosova të pranojë deri në 50 migrantë.
“Ne po pranojmë ata që SHBA-të nuk i do në territorin e vet” tha Kurti duke shtuar se një ose dy migrantët kishin mbërritur tashmë në vendin e tij.
Në shtator të këtij viti, SHBA-ja ka bërë të ditur se ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Kurti hodhi poshtë mundësinë e kthimit të strukturave paralele në veri të Kosovës.
“Në Kosovë sundimi i ligjit do të jetë gjithandej. Kthim në periudhë ku sundon krimi në veriun e Kosovës është i pamundur. Përpjekje mund të ketë si me sulmin në Ibër-Lepenc, por jam i sigurt se do të dështojnë.” deklaroi ndër të tjera kryeministri në detyrë.
Kurti foli edhe për dialogun me Serbinë që nuk ka bërë përparim që nga shtatori i vitit 2023, kur ndodhi sulnmi i Banjskës.
“Unë angazhohem aktivisht për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por kur ka ngecje në atë proces, jo për fajin tim, atëherë unë merrem me normalizim të shtetit të Kosovës” u shpreh Albin Kurti.
Burimi / rtsh.al
