Reforma e thellë në BDI, të cilën e paralajmëroi kreu i rizgjedhur i partisë Ali Ahmeti përfundoi kryesisht me rokadë të emrave të njëjtë, nga njëri organ te tjetrit. Në kongresin e sotëm të partisë Arbër Ademi dhe Faton Ahmeti ndërruan rolet. Ademi nga nënkryetar u bë sekretar i përgjithshëm, ndërsa Faton Ahmeti nga sekretar i përgjithshëm- nënkryetar. Bujar Osmani dhe Arbana Pasholli mbeten nënkryetarë të BDI-së, ndërsa listës së nënkryetarëve iu shtuan edhe Erkan Arifi dhe Arta Bilalli Zendeli. Nebi Rexhepi zëvendëson Blerim Bexhetin, si sekretar organizativ. Në Këshillin e ri të Përgjithshëm të partisë nuk janë anëtarët e deritanishëm Sadulla Duraku, Talat Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, Nazim Bushi, Resi Adurrahmani, Shaban Memeti, Ejup Rustemi, Musa Xhaferi, Xhevat Ademi, Ejup Alimi. Por, pritet të shihet nëse do të jenë pjesë e organeve të tjera të partisë, siç është Këshilli Kombëtar, të cilat pritet të konsolidohen ditët në vijim.
Ahmeti në fjalimin e tij theksin nuk e vendosi te reformat në parti, por ato që duhet të ndodhin në institucionet kryesore të shtetit në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i drejtë, barazia funksionale dhe kohezioni shoqëror, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“E para, Zgjedhja e Qeverisë me shumicë të dyfishtë-Badenteri Ekzekutiv. Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. E dyta, Zbatimi i Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës. E treta, Thellimi i Decentralizimit dhe Vetëqeverisjes Lokale. Propozojmë një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit lokal dhe administrimit të pasurive publike”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI.
Ahmeti përsëriti edhe kërkesën e kamotshme për veting edhe atë jo vetëm të politikanëve, por të të gjithë funksionarëve por edhe të organeve të sigurisë.
“Mbështetje për propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, si garanci për drejtësi të pakompromis. Hetim për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 34 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë dhe polici. Verifikim i pasurisë dhe prejardhjes së saj për çdo funksionar publik. Hetim të thelluar për procesin e privatizimit që krijoi oligarkët e paprekshëm. Hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe zyrtarëve të tyre që nga viti 1945 deri sot OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK, ANB”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI.
Kongresi i sotëm hasi në kritika nga anëtarë dhe ish anëtarë të kësaj partie, të cilët, përmes rrjeteve sociale reaguan për përjashtimin e tyre nga organet e partisë. /Alsat.mk
