3.8 C
Skopje
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

SKANDAL / Spiropali i barazon shqiptarët e RMV-së, me pakicën maqedonase në Shqipëri!

KËRKESË PËR SQARIM ZYRTAR NGA SHTETI SHQIPTAR

Deklarata e Ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbi “reciprocitetin në trajtimin e minoriteteve”, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përmenden në të njëjtën fjali me pakicën maqedonase në Shqipëri, kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar nga institucionet e shtetit shqiptar.

Shkruan Dijana Toska

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë minoritet, por popull shtetformues, me mbi 30 përqind, faktor kushtetues, demografik dhe historik në këtë shtet. Çdo formulim që i relativizon apo i barazon me pakica kombëtare përbën devijim serioz nga e vërteta politike dhe historike.

Shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Republikës së Shqipërisë nuk janë lodra në duart e shtetit amë, por trung kombëtar që duhet përkrahur dhe mbrojtur. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe moral i Shqipërisë.

Republika e Shqipërisë, sipas frymës së Kushtetutës së saj dhe praktikës së deritanishme shtetërore, ka përgjegjësi të qartë për: mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve, ruajtjen e statusit të tyre politik dhe moslejimin e asnjë narrative që i zhbën ata nga subjekt në objekt diplomatik.

Prandaj, kërkohet të sqarohet publikisht:
1. A ishte kjo deklaratë lapsus individual, apo mosdije!?
2. Apo përfaqëson një ndryshim zyrtar të politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Heshtja në këtë rast do të nënkuptonte pranim të relativizimit të statusit shtetformues të shqiptarëve, gjë që është e papranueshme dhe e dëmshme për interesin kombëtar.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kërkojnë favore, por respektim të statusit të tyre real politik dhe përkrahje të qartë nga shteti amë.

Kjo deklaratë nuk është lapsus i pafajshëm diplomatic është gabim i rëndë politik dhe historik.Është legjitimim i narrativave unitariste që i kanë diskriminuar për dekada shqiptarët e Maqedonisë..

Reciprociteti aplikohet mes pakicave, jo mes një pakice dhe një populli shtetformues.
Kjo është ABC-ja e diplomacisë, jo temë për eksperimente politike.
Faleminderit për vëmendjen.

Shpresojmë që sqarimi të konfirmojë se Shqipëria nuk negocion me identitetin, statusin dhe dinjitetin e shqiptarëve, sepse ato nuk janë çështje diplomatike, por themeli i kombit.
Historia i mban mend mirë jo vetëm fjalët që thuhen, por edhe sqarimet që jepen – ose që mungojnë.

DT
22.12.2025

Të ngjajshme

Të fundit