2.8 C
Skopje
E martë, 23 Dhjetor, 2025

Mucunski: Retorika e Ali Ahmetit i përket një periudhe më shumë se 20 vjet më parë

Ali Ahmeti ende jeton në folklorin e kohës kur për herë të parë ka marrë pjesë në qeveri, në vitin 2002. Kanë kaluar shumë vite, më shumë se 20 nga kohët në të cilat është ngujuar vetëdija e tij, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, lidhur me propozimet e liderit të BDI-së të paraqitura në Kongresin e pestë partiak, që qeveritë e ardhshme të zgjedhen me shumicë të “Badenterit”, dhe për vednosje të këtij mekanizmi në marrjen e vendimeve në Gjykatën Kushtetuese, përcjell TV21.

“Ndoshta thellë brenda vetes e di se të gjitha këto gjëra për të cilat flet janë joreale, por qartazi ndjehet se hapësira e tij politike është ngushtuar dhe nuk ka temë tjetër për të cilën mund të diskutojë. Unë nuk besoj se në këtë shtet ka ndonjë të ri maqedonas, shqiptar, turk, rom, vllah, i cili beson në të gjitha këto gjëra. E di që qytetarët tanë presin që ne të sigurojmë kushte më të mira për standardin e jetesës. Ky folklor politik është folklor që vjen nga një periudhë para 20, madje edhe më shumë se 20 vjetësh, por mungesa e kreativitetit dhe vizionit është arsyeja pse BDI është në opozitë. Dhe nga kjo retorikë që vjen nga zoti Ahmeti, ajo që për mua bëhet gjithnjë e më e qartë është se BDI edhe për një periudhë më të gjatë me gjasë do të duhet të mbetet në opozitë”, theksoi Mucunski në intervistë për emisionin “360 Gradë”.

Mucunski tha se është e padiskutueshme që “Badenteri” është pjesë e rendit tonë kushtetues-juridik, por njëkohësisht nuk është mekanizëm që përdoret për zgjedhjen e Qeverisë apo për votim në Gjykatën Kushtetuese.

“Imagjinoni hipotetikisht sikur të lejonim “Badenterin”, le të biem dakord, gjë me të cilën nuk pajtohemi, dhe po ua them që në fillim, ta shndërrojmë Gjykatën Kushtetuese në një alternativë, në një dhomë të dytë ligjvënëse në shtet? Kjo nuk është funksioni i saj. Nga këndvështrimi kushtetues-juridik, ajo që thotë zoti Ahmeti është absolutisht jologjike. Edhe nga aspekti i rregullimit shtetëror është po ashtu jologjike. Është e padiskutueshme që herë pas here ka një kompleksitet të caktuar në sigurimin e “Badenterit”, por ajo që mund t’ju them është se në mandatin aktual të qeverisë, ligjet që lidhen me Badenterin, në një masë të madhe (jo të gjitha, por në një masë të madhe), janë ligje të ndërlidhura me integrimin evropian të shtetit – ligje që do të kenë flamurin evropian. Dhe në fund të ditës, nëse deputetët e opozitës vendosin se nuk duan të mbështesin ligje që janë pjesë e agjendës evropiane, kjo është edhe një dëshmi tjetër e hipokrizisë. Vazhdimisht në konferenca për shtyp bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, por ja që shohim se për interesa të ngushta politike nuk sigurojnë shumicë Badenteri për ligje që lidhen me integrimin evropian”, shtoi Mucunski.

I pyetur lidhur me kongresin e BDI-së dhe praninë e sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së, Gjorgjia Sajkoski, si dhe zëvendëskoordinatores së grupit parlamentar Dafina Stojanoska, duke pasur parasysh kualifikimet që VMRO-DPMNE i përdor për BDI-në në komunikimin politik, Mucunski theksoi se këto kualifikime janë një pasqyrim real i asaj që kjo parti politike bën në funksionimin e saj aktual.

“Qëndrimi ynë ndaj BDI-së dhe pozicioni ynë për BDI-në është i qartë në mëynrë kristale. Ndoshta në disa momente për ne do të kishte qenë më e lehtë të bënim koalicion me BDI-në, por kemi vendosur të ndjekim rrugën më të vështirë, sepse kemi besuar se për BDI-në është e dobishme të fillojnë proceset e reformave të brendshme dhe partia të shkojë në opozitë. Prandaj, marrëdhënia jonë me BDI-në më së miri reflektohet përmes asaj që shihet se ku ndodhet BDI sot. BDI, për shkak të pozicionimit të fortë të VMRO-DPMNE-së, është në opozitë. Dhe BDI, për shkak të veprimit të fuqishëm politik të VMRO-DPMNE-së, mbeti në opozitë edhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale”, tha Mucunski.

Sa i përket pranisë së sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së në kongres, ai theksoi se si parti, e vlerësojnë demokracinë dhe vlerat demokratike.

“Kjo do të thotë se ne, ndoshta nuk pajtohemi me qëndrimet tuaja politike, ndoshta do të veprojmë me të gjitha mjetet që kemi për të parandaluar pjesëmarrjen tuaj në punën aktive të qeverisë, por kjo nuk do të thotë se nuk do t’ju respektojmë. Ne duhet t’i respektojmë të gjitha subjektet politike në shtet, të cilave qytetarët në një formë u japin legjitimitet. Ka shumë subjekte politike me të cilat edhe unë personalisht kam qëndrime diametralisht të kundërta, jo vetëm në aspektin e funksionimit të tyre, por edhe në aspektin e pozicionimit ideologjik dhe përcaktimeve të tyre strategjike. Por kjo nuk do të thotë se, nëse ata na ftojnë të jemi të pranishëm në kongresin e tyre, ne nuk do t’u japim respektin minimal. Unë i respektoj edhe ata me të cilët nuk pajtohem dhe pikërisht prania, mendoj, ishte një shenjë respekti të ndërsjellë se të gjithë marrim pjesë në jetën politike të këtij shteti dhe të gjithë kemi një formë mbështetjeje të dhënë nga qytetarët”, tha Mucunski.

Të ngjajshme

Të fundit