8.8 C
Skopje
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025

Ibrahimi: Pyetja nuk është a janë shqiptarët minoritet në RMV, por pse dhe kush na la minoritet ?

Ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar përmes një shkrimi publik lidhur me deklaratat e fundit të ministres Elisa Spiropali, për statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se çështja e vërtetë nuk është nëse shqiptarët janë minoritet, por arsyet dhe përgjegjësitë pse kanë mbetur të tillë, informon POPULLI.mk

Sipas Ibrahimit, fakti që shqiptarët në RMV janë të definuar si minoritet është i njohur prej kohësh dhe është i sanksionuar në preambulën e Kushtetutës që doli nga Marrëveshja e Ohrit, pas konfliktit të vitit 2001. Ai nënvizon se kjo kushtetutë u miratua pas një lufte të përgjakshme dhe sakrificave të mëdha, por megjithatë statusi politik i shqiptarëve mbeti i pandryshuar.

Ibrahimi ngre pikëpyetje për rolin e udhëheqjes politike shqiptare të asaj kohe, duke iu referuar figurës që ai e quan “lideri flokëbardhë”, për të cilin thotë se duhet të japë përgjigje se pse, edhe pas luftës së UÇK-së dhe dëshmorëve të rënë, shqiptarët hynë në procesin politik si minoritet dhe dolën sërish si minoritet, njësoj si në Kushtetutën e vitit 1991.

“Pyetja themelore nuk është ‘A jemi minoritet?’, por ‘Pse jemi minoritet dhe kush na ka lënë minoritet?’”, thekson Ibrahimi, duke shtuar se debati duhet të zhvendoset nga konstatimet formale drejt përgjegjësisë politike dhe historike.

Në fund të reagimit të tij, Ibrahimi përdor një citat simbolik të Ernest Hemingway-t – “Mos pyet për kë bie kambana”, duke lënë të kuptohet se kjo çështje prek drejtpërdrejt përgjegjësinë kolektive dhe pasojat afatgjata për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Të ngjajshme

Të fundit