Shumica parlamentare nuk i ka votat e nevojshme për njërin nga ligjet e kryesore për vënien në funksion të sistemit Safe City. Bëhet fjalë për Ligjin për kundërvajtje në komunikacion, për ndryshimin e të cilit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita ka rezervat e saja. Nga BDI shprehen të prerë se nuk do ta votojnë, njësoj siç e cilësojnë problematike tërë pakon e ligjeve që lidhen me sistemin “Safe City”
“Parimisht jo, për shkak se si pako është problematike, ngase prekë çështje te ligjet tjera me të cilat ne nuk jemi dakord”, thonë nga BDI.
LSDM-ja për momentin nuk kanë qëndrim se si do të votojnë për këtë ligj, ndërsa njësoj nuk është diskutuar as brenda partisë E Majta. VMRO-DPMNE-ja konfirmon se ka negociata për sigurimin e numrave. Bojan Sotjanovski gjatë intervistës në Alsat tha se nuk pret që ky ligj dhe vetë sistemi Safe City të keqpërdoret për pikë politike.
“Nevojiten dy të tretat dhe praktikisht ai është ligji që është platformë e ligjeve të tjera, nëse ai ligj nuk sillet, mund sistemi të mos futet në funksion nga 1 shkurti. Unë shpresoj se deputetët e opozitës do ta njohin momentin dhe do ta mbështesin. Po është e vërtetë kemi bisedime dhe mendoj se do të kemi sukses të sigurojmë dy të tretat e votave për këtë ligj”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Për futjen në funksion të sistemit Safe City, nevojitet ndryshimi i një pakoje prej 6 ligjeve, katër prej të cilave janë miratuar, ndërsa mbeten Kodi Penal dhe Ligji për kundërvajtje në komunikacion. Pa miratimin e ligjit sistematik me 2/3, sistemi Safe City nuk mund të hy në funksion nga data 1 shkurt. /Alsat.mk
