Punëtorët e administratës publike në Kosovë do të marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, konfirmoi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.
Ai theksoi se vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përfshirë edhe këtë pagesë, do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re.
“Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të, të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë me 31 tetor sivjet, pra të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstitutohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime,” tha Kurti.
Ai shtoi se paga e 13-të nuk do të ndahet në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm: “Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të; kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër”.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re: “Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejtë e formojmë Qeverinë. Pra në mbledhjen e parë, përveç vendimit për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lidhjen me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi: “Por, mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën”. /Telegrafi/
