9.8 C
Skopje
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026

Avokati Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi ka nisur fjalën përfundimtare në këtë gjykim. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq qysh në fjalën e tij të parë tha se Hashim Thaçi është i pafajshëm.

Ai tutje gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se ZPS nuk ka arritur që të plotësojë kriterin e barrës së provës ndaj Thaçit.

Për katër e orë e gjysmë mbrojtja e Thaçit pritet të deklarojë për pafajësinë e Hashim Thaçit.

Në gjykatore prezent janë edhe ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm, kjo është pikënisja juaj kur të filloni kuvendimet për marrjen e vendimit, ne e dimë që në këtë procedurë ai është i pafajshëm pasi që ligji iu kërkon juve që ta prezumoni të pafajshëm. Besoni ose kam dëgjuar kryetarë të tribunaleve ndërkombëtare të japim fjalime ku e keqkuptojnë këtë gjë. Ata thonë ‘konstatim i pafajshëm’ nuk do të thotë se ai është i pafajshëm, kjo mënyrë mendimi keqkupton procesin e tërë të gjykimeve penale ndërkombëtare. Përpara jush keni katër burra meshkuj që ligji thotë se duhet t’i prezumoni të pafajshëm. Ky proces është sjell këtu sepse ZPS ka ngritur pretendime se ata kanë prova që vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se ata janë fajtor dhe për rrjedhojë për më shumë se 5 vite kemi të përfshirë në këtë proces ku duhet të bëhet verifikimi i ZPS dhe pretendimet e tyre dhe për të parë nëse ata mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është një ekzaminim apo shqyrtim verifikim i jetës së Hashim Thaçit, kjo është verifikim i ZPS se Hashim Thaçi nuk duhet të gëzojë më tej prezumimin e pafajësisë”, tha ai.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, Mishetiq theksoi se ndërkombëtarët kanë dëshmuar se gjërat që po ndodhnin nuk ishin të lidhura me Thaçin dhe këtë duke bazuar në informacionet e tyre, e veç asaj edhe në shërbimet e inteligjencës.

“Juve duhet të konstatoni që ZPS ka dështuar, nuk ka arritur të provojë akuzat e saj dhe të arrinin në një aktgjykim shfajësues ku të akuzuarit lirohen nga akuzat. Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm si çështje ligjore… ZPS nuk ka ngritur pretendime se ndonjë dëshmitarë në këtë gjykim është ndikuar. Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë të shumtë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe zhvilloheshin. Këta dëshmitarë iu thanë se ishin në fakt të informuar për ngjarje në terren përmes burimeve diplomatike, shërbime të inteligjencës dhe të tjera si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë këtu Hashim Thaçin. Ju keni dëgjuar nga ish-asistenti i sekretarit të shtetit, James Rubin i cili iu tha juve se në fund të qershorit 1999 ai konkretisht hetoi pretendimet e bëra në gazetën Neë York Times në qershor ‘99 lidhur me Thaçin. Kontrolloi, verifikoi burimet informacionet e disponueshme që qeveria amerikane kishte dhe nuk arriti të gjente një provë që e lidhte zotërinë Thaçi me krime lufte”, tha ai.

Mishetiq shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë që ishin në mbrojtje të Thaçit.

“ZPS përpiqet të hedhë poshtë dëshminë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë duke thënë se janë të painformuar për zhvillimet e brendshme dhe funksionimit të brendshëm të UÇK-së”, deklaroi ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar si dhe mbrojtësi i viktimave dje e kanë përmbyllur fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënimin me burg nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së, që në total i bie 180 vjet burgim.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke përmendur kështu dëshmitë e James Rubin e Wesley Clark.

Paraqitja e deklaratave përmbyllëse shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.

Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, gjatë kësaj jave dhe javën e ardhshme kanë mundësi që për herë t’ fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Të ngjajshme

Të fundit