Nga Prokuroria Publike e Shkupit bëjnë të ditur se kanë nisur procedurë ndaj një 52 vjeçari nga Shkupi, për shkak siç thonë nga Prokuroria dhunë në familje ndaj partneres së tij, transmeton TV21. Nga Prokuroria tutje theksojnë se i dyshuari e ka goditur gruan me shuplaka dhe shkelma duke i shkaktuar lëndime trupore, gërvishtje, ënjtje dhe hematoma në kokë dhe trup.
Njoftimi i plotë nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit
“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë ndaj një 52-vjeçari, i dyshuar për dëmtime trupore sipas nenit 130 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal.
I dyshuari, gjatë ushtrimit të dhunës në familje në banesën në rrugën “Rajko Zhinzifov”, e ka sulmuar fizikisht partneren e tij jashtëmartesore, 32-vjeçare, e cila ishte në muajin e dytë të shtatzënisë.
Gjatë një përplasjeje, ai filloi ta godasë gruan me shuplaka dhe shkelma, duke i shkaktuar lëndime trupore — gërvishtje, ënjtje dhe hematoma në kokë dhe trup.
E dëmtuara filloi të bërtiste fort dhe të kërkonte ndihmë me qëllim që fqinjët të dëgjonin dhe të thërrisnin policinë, por sa më shumë bërtiste, aq më agresiv bëhej i dyshuari dhe e rrihte më fort. Në një moment, për ta heshtur, e shtrëngoi me duar në qafë. Për të shpëtuar dhe për të dalë nga banesa, viktima e bindur i tha të dyshuarit që të shkonin te gjinekologu për të bërë një ekzaminim EKO dhe për të parë fëmijën.
Kur u nisën me makinë drejt gjinekologut, dhe i dyshuari ndaloi në semaforët e bulevardit “Shën Klimenti i Ohrit”, e dëmtuara arriti të ikë nga automjeti dhe hyri në një kafene për të kërkuar ndihmë. Aty, nga një person që po qëndronte në kafene, huazoi një telefon celular dhe menjëherë njoftoi policinë.
Prokurori ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake propozim për masat paraprake: detyrimin e të dyshuarit për t’u paraqitur periodikisht te një person i caktuar ose te organi kompetent shtetëror, sekuestrimin e përkohshëm të pasaportës ose dokumenteve të tjera përkalimi kufitar, si dhe ndalimin e afërsisë ose kontaktit me të dëmtuarën”.
