Presidenti serb Aleksandar Vučić, i cili këto ditë ka shprehur shqetësim për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, u ndal edhe te kapacitetet e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), duke vlerësuar se sipas disa indekseve amerikane ato janë më të fuqishme se ushtritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
“Nuk e them unë këtë, është këndvështrimi i tyre, jo imi”, deklaroi Vuçiç, transmeton 4news.mk, duke shtuar se bëhet fjalë për vlerësime të bëra sipas analizave ndërkombëtare.
Duke folur për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, presidenti serb e cilësoi atë si “kërcënimin më të madh” për Serbinë, duke pretenduar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është të ushtrohet presion ndaj Beogradit.
Vuçiç aktualisht ndodhet në Indi, ku po merr pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale. Sipas portalit “Kossev”, ai atje ka zhvilluar takime me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me kryeministrin kroat Andrej Plenković.
“Kossev” rikujton se Kroacia më 18 mars të vitit të kaluar nënshkroi një Deklaratë për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që shkaktoi reagime negative në Beograd, ku autoritetet e vlerësuan një hap të tillë si minues të stabilitetit rajonal dhe si provokim ndaj Serbisë.
Vuçiç deklaroi se sipas vlerësimeve të tij, aleanca është formuar me qëllim përgatitjen e terrenit për një konflikt të mundshëm në Evropë në të ardhmen.
“Ata e formuan këtë me qëllim që të presin mundësinë e një konflikti mes Evropës dhe Federatës Ruse dhe, kur kjo të ndodhë, të mund të kryejnë një invazion ndaj Serbisë nga disa drejtime të ndryshme”, tha ai.
Ai më herët, nga Mynihu më 13 shkurt, kishte deklaruar se “kërcënimi më i madh për Republikën e Serbisë është aleanca ushtarake Kroaci–Prishtinë–Tiranë”.
Megjithatë, sipas “Kossev”, retorika e Vuçiçit ndryshon kur ai bisedon me liderët rajonalë. Pas bisedës me kryeministrin kroat Plenkoviq, presidenti serb deklaroi se kishte marrë garanci se aleanca nuk është e drejtuar kundër Serbisë.
“Mbrëmë pata një bisedë të gjatë me kryeministrin Andrej Plenkoviq. Nuk do të ishte e drejtë të tregoj gjithçka, por mund të them se ai tha se aleanca nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Çdo gjë tjetër që do të thosha do të dilte jashtë kornizave të qytetarisë dhe sjelljes së mirë”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Ai shtoi se mendimi i tij për aleancën mbetet i njëjtë si më parë, por për hir të korrektësisë diplomatike nuk dëshironte t’i përsëriste publikisht të gjitha qëndrimet e tij.
