Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë, raporton KosovaPress.
Eksperti i kriminalistikës, Koen Herlaar do të vazhdojë dëshminë e tij edhe sot nga ora 09:30, e cila transmetohet me 45 minuta vonesë për publikun.
Dëshmia e holandezit, i cili është ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dje. Pyetjet e palëve kryesisht janë zhvilluar në seancë private.
Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.
Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon në seancën e djeshme ka kërkuar nga trupi gjykues që ta detyrojë dëshmitarin holandez, Koen Herlaar që të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.
Mbrojtja e Thaçit ka reaguar, lidhur me siç tha ajo refuzimin e dëshmitarit për tu përgjigjur në pyetjet për shkak të konfidencialitetit. Sipas saj, ky dëshmitar i ftuar nga ZPS nuk ka dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshen e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt dhe kanë përfunduar me 18 shkurt.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
