12.8 C
Skopje
E shtunë, 11 Prill, 2026

BDI kundër ligjit të ri: “Pa kuota, pa drejtësi”

Me Ligjin për përfaqësim të drejtë, sipas koalicionit qeverisës VLEN, për herë të parë do të vendosen rregulla të qarta dhe zbatim të detyrueshëm në të gjitha institucionet, duke i dhënë fund, siç thotë, manipulimeve dhe punësimeve pa meritë që më parë i bënte BDI. VLEN thekson se kjo nismë synon të sigurojë trajtim të barabartë dhe drejtësi për të gjithë ata që për vite me radhë kanë pritur përfaqësim adekuat në administratë.

“Për herë të parë, kjo punë nuk mbetet më pa zot shtëpie. Për herë të parë formohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar, që do ta ndjekë zbatimin e ligjit dhe do të kërkojë llogari nga çdo institucion. Me pak fjalë, nuk ka më vend për hile, deklarimet e rreme nuk kalojnë më dhe koha e mashtrimeve merr fund. Ky ligj nuk është për një parti. Ky ligj është për çdo shqiptar që ka pritur me vite të trajtohet si duhet. Të marrë hisen e vet”, tha Astrit Iljazi – VLEN.

Nga partia opozitare BDI paraprakisht kanë reaguar për propozim-ligjin e ri, duke e quajtur tradhti e hapur ndaj çdo arritjeje për të cilën është sakrifikuar me dekada. Thonë se propozim-ligji i hartuar nga Karakamisheva dhe i përkrahur me bujë nga VLEN, nuk është arritje, por regres brutal.

“Propozim që po qarkullon në media: -nuk parasheh kuota etnike, që d.m.th. ne prap do të vazhdojmë si para vitit 2001 kur shqiptarët ishin vetëm 0,2 % në administratë; -nuk parasheh obligim për institucionet që t’i identifikojë në bazë etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit; -nuk parasheh dispozita sanksionuese; Me një fjalë: një ligj mashtrimi, kurthi, pa shpirt, pa drejtësi”, thonë nga BDI.

Më 7 prill Qeveria e miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për t’ia dërguar Kuvendit për miratim. Deri më tani projekt-ligji nuk është bërë publik. Zëvendëskryeministri Bekim Sali, deklaroi se ligji tashmë e ngre parimin e përfaqësimit të drejtë nga nivel kushtetues në detyrim të drejtpërdrejtë ligjor për të gjitha institucionet shtetërore.

Të ngjajshme

Të fundit