Maqedonia e Veriut po përballet me një tjetër stagnim në procesin eurointegrues, teksa ndryshimet kushtetuese, kyçe për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian vazhdojnë të mbeten vetëm në nivel deklaratash politike, shkruan POPULLI.mk
Koalicioni VLEN, që gjatë fushatës zgjedhore premtoi se ndryshimet kushtetuese do të realizoheshin brenda gjashtë muajve, sot përballet me kritika për mungesë rezultatesh konkrete. Edhe pas hyrjes në Qeveri, procesi nuk ka shënuar përparim, ndërsa kanë kaluar gati dy vjet pa ndonjë hap të dukshëm drejt sigurimit të shumicës së nevojshme prej dy të tretash në Kuvend.
Fillimisht optimizmi ishte i lartë, me deklarata se partneri qeveritar VMRO-DPMNE mund të bindet për të mbështetur ndryshimet. Por zhvillimet në terren treguan të kundërtën. Kryeministri Hristijan Mickoski ka mbajtur një qëndrim të pandryshuar, duke kushtëzuar çdo ndryshim kushtetues me garanci të forta nga Bullgaria se nuk do të ketë bllokada të reja në procesin eurointegrues.
Nga ana tjetër, përfaqësues të VLEN-it kanë ndryshuar disa herë retorikën e tyre. Nga afate konkrete prej 3 deri në 6 muaj, tashmë mesazhi është zhvendosur drejt thirrjeve për durim. “Keni durim” ishte përgjigjja e fundit publike, duke reflektuar vështirësitë në arritjen e konsensusit politik.
Ndërkohë, Brukseli ka qenë i qartë dhe i vazhdueshëm në kërkesat e tij se pa ndryshime kushtetuese, nuk mund të ketë përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kjo e vendos Maqedoninë e Veriut në një situatë të ndërlikuar, ku përplasjet e brendshme politike po e mbajnë të bllokuar procesin.
Analistët vlerësojnë se pa një marrëveshje të gjerë politike dhe pa një qasje më të koordinuar mes partive kryesore, ndryshimet kushtetuese do të vazhdojnë të mbeten peng i kalkulimeve politike. Për rrjedhojë, edhe rruga evropiane e vendit mbetet e paqartë dhe e bllokuar, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe pritshmërive të qytetarëve. / © POPULLI.mk
