14.8 C
Skopje
E mërkurë, 13 Maj, 2026

Kurti synon 60% të votave, LDK kandidon Vjosa Osmanin për presidente dhe Abdixhikun për kryeministër

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje synon një rezultat historik në zgjedhjet e ardhshme, duke pretenduar se partia mund të arrijë deri në 60% të votave. Në fjalimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u shpreh se trendi i rritjes së mbështetjes elektorale për partinë e tij po vazhdon.

“Sa herë që po na bllokojnë, ne po rritemi, ndërsa ata po marrin përgjigje edhe më të fortë nga populli. Duket sikur dikush, ndoshta ndonjë strateg që vepron nga prapaskena, mendon se zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin dhe shtetin. Kjo po ndodh sepse përballë nesh kemi një opozitë që nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur ta bllokojë shtetin,” deklaroi Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar kandidaturën e Vjosa Osmanit, për postin e Presidentes si dhe të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, si kandidat për Kryeministër.

 “Kam propozuar garën e përbashkët për President të Republikës dhe për kryeministër të Republikës. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… dhe njëkohësisht, bartësin e listës sonë zgjedhore, dhe me mua, kryetarin e LDK-së, si kandidat nga LDK për Kryeministër të Republikës,” tha Lumir Abdixhiku- Levizja Dekokratike e Kosovës.

Në Kosovë partitë kryesore po përgatiten për një fushatë të fortë që pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit. Zgjedhjet do të mbahen më 7 qershor. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit