Ish-kryeministri i Suedisë dhe diplomati i njohur europian Carl Bildt ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”.
Në një postim në rrjetin social X, Bildt e cilësoi deklaratën si të papranueshme për një anëtare të qeverisë serbe dhe i bëri thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiç të mos e anashkalojë atë.
“Kjo është skandaloze nga një anëtar i qeverisë. Sigurisht që nuk po i çon përpara perspektivat e vendit – përkundrazi. Nuk mendoj se Presidenti Vuçiç mund të qëndrojë pasiv ndaj kësaj”, shkroi Bildt.Reagimi i ish-përfaqësuesit të lartë europian vjen në një kohë kur deklarata e ministres serbe ka nxitur një valë dënimesh ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ka bërë ende asnjë reagim publik lidhur me këtë çështje.
Autoritetet e Kosovës reaguan menjëherë, duke e shpallur Paunoviç “persona non grata” dhe duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi erdhi pasi ministrja serbe, në një intervistë për median “Kurir”, deklaroi se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” gjatë luftës së vitit 1998.
Deklarata u bë në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, duke shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Përveç institucioneve të Kosovës, reagoi edhe Bashkimi Europian, ndërsa komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, dënoi retorikën e përdorur, duke theksuar se deklarata të tilla bien ndesh me frymën e pajtimit dhe procesin e integrimit europian.
Kosova reagoi duke e shpallur ministren serbe “persona non grata”, deklarata u dënua edhe nga zyrtarë europianë, ndërsa nga kryeministri Edi Rama nuk ka pasur ende një reagim publik.




