21.8 C
Skopje
E mërkurë, 20 Maj, 2026

BE lançon projektin EU4IP për forcimin e pronësisë intelektuale në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi

Alicante, 20 maj 2026 – Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian (EUIPO), në bashkëpunim me Komisionin Evropian, ka lançuar zyrtarisht projektin “EU4IP – Ballkani Perëndimor” (EU4IP-WB), një iniciativë e re që synon të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian përmes forcimit të sistemeve të pronësisë intelektuale.

Projekti u prezantua në selinë e EUIPO-s në Alicante të Spanjës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Komisioni Evropian, EUIPO dhe vendeve partnere, përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Republikën e Moldavisë.

Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa do të fokusohet në harmonizimin e sistemeve të pronësisë intelektuale me standardet e BE-së, ndërtimin e kapaciteteve institucionale, forcimin e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e saj, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe të rinjtë.

Drejtori Ekzekutiv i EUIPO-s, João Negrão, deklaroi se “një sistem më i fortë i pronësisë intelektuale është themeli i një shoqërie më inovative dhe të begatë”, duke shtuar se projekti përfaqëson një angazhim të përbashkët për të krijuar përfitime konkrete për bizneset, industrinë dhe shoqërinë.

Sipas organizatorëve, projekti do të kontribuojë gjithashtu në rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal, duke ndihmuar vendet pjesëmarrëse të afrohen me tregun e brendshëm të BE-së dhe të përmirësojnë bashkëpunimin ekonomik brenda rajonit.

EU4IP-WB do të zgjasë tre vjet, duke filluar nga janari i vitit 2026, dhe bashkëfinancohet nga Komisioni Evropian dhe EUIPO. Në kuadër të tij, EUIPO do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kombëtare të pronësisë intelektuale, administratat publike dhe autoritetet zbatuese për modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e mbrojtjes së inovacionit dhe biznesit.

Ky projekt vjen si pjesë e strategjisë së BE-së për të avancuar negociatat e anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë, duke e konsideruar pronësinë intelektuale si një element kyç për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

Të ngjajshme

Të fundit