23.7 C
Skopje
E mërkurë, 22 Korrik, 2026

DPHM: Sot reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe mundësi për breshër

Moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Gjatë ditës pritet paqëndrueshmëri lokale me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erë të përforcuar dhe kushte për mot të ligë të izoluar me paraqitje të breshrit, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).

Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të jetë më e fuqishme. Në pjesët perëndimore do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga perëndimi, me përforcime të përkohshme.

Temperatura minimale do të lëvizë nga 12 deri në 21 gradë, ndërsa ajo maksimale nga 27 deri në 33 gradë Celsius.

Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Në disa pjesë të luginës priten reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë e përforcuar. Temperatura minimale do të zbresë në 17 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë në 30 gradë.

Sipas DPHM-së, deri të premten, nën ndikimin e një serie masash ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe vende-vende i paqëndrueshëm me reshje shiu dhe bubullima. Lokalisht priten procese në formën e motit të ligë afatshkurtër, të shoqëruara me erë të fortë dhe breshër të izoluar.

Të premten priten reshje më të dendura shiu, ndërsa për shkak të depërtimit të një mase ajrore më të ftohtë nga veriu, temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.