Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Z. Shaqiri, ka vlerësuar se raporti më i fundit i Bankës Botërore, i cili e rendit RMV si vendin me ritmin më të lartë të rritjes së trafikut ajror dhe turizmit në Evropë dhe Azi Qendrore, është një dëshmi e politikave të suksesshme të institucioneve dhe një motiv shtesë për angazhim edhe më të madh në këtë sektor.
Sipas Shaqirit, vendi ka shënuar statistika rekord në rritjen e turizmit përmes trafikut ajror, pavarësisht sfidave të krizës globale. Ajo theksoi se analiza e Bankës Botërore e njeh RMV si shembullin më të suksesshëm në rajon, me një rritje prej 40 për qind në nivel vjetor të numrit të pasagjerëve në mbërritje.
“Nëpërmjet subvencionimit të linjave të reja ajrore dhe politikave për zhvillimin e aviacionit civil, kemi arritur ta pozicionojmë RMV në krye të vendeve që tërheqin turistë të rinj dhe nxisin zhvillimin ekonomik përmes turizmit”, theksoi Shaqiri.
Ajo shtoi se rezultatet pozitive reflektohen edhe në punën e Aeroportit të Ohrit, ku vetëm gjatë një dite janë shërbyer mbi 3.000 pasagjerë, një rekord i rëndësishëm për këtë aeroport.
Zëvendësministrja e Transportit nënvizoi se institucionet do të vazhdojnë të investojnë në zhvillimin e trafikut ajror dhe infrastrukturës turistike, me synim forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe rritjen e numrit të vizitorëve në vend.




