20.8 C
Skopje
E mërkurë, 2 Shtator, 2026

Kurti: Gjashtë deputetë të LDK-së po pengojnë zgjedhjen e Bekim Sejdiut

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet dy subjekteve për zgjedhjen e presidentit.

Kurti bëri të ditur se kishte takuar përfaqësuesit e grupit multietnik, me të cilët ishte planifikuar më herët një takim. Ai tha se i kishte informuar ata për negociatat, marrëveshjen me LDK-në dhe kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

Sipas tij, përfaqësuesit e këtij grupi shprehën keqardhje për situatën e krijuar dhe pamundësinë e zbatimit të marrëveshjes.

“Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet, për shkak se gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.

Kreu i LVV-së theksoi se partia e tij do të vijojë përpjekjet për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi ai.

Kurti vlerësoi se, megjithëse zhvillimi i djeshëm ishte negativ, marrëveshja me LDK-në ka rritur numrin e votave të siguruara për zgjedhjen e presidentit.

“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, u shpreh ai.

Ai njoftoi se do të zhvillojë konsultime të brendshme me kryesinë e VV-së.

Kurti tha se në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e kishte informuar atë për gjendjen aktuale brenda Vetëvendosjes, ndërsa Abdixhiku e kishte vënë në dijeni për zhvillimet në VV.

“Ne vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se përpara. Shohim çfarë mund të bëjmë në ditët në vijim”, theksoi Kurti.