20.8 C
Skopje
E mërkurë, 2 Shtator, 2026

Osmani kërkon rikthimin e Balancuesit dhe zbatimin e Ligjit për Gjuhët

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka propozuar gjashtë hapa që, sipas tij, janë të domosdoshëm për “normalizimin e demokracisë multietnike” në Maqedoninë e Veriut.

Në një status të publikuar në Facebook, Osmani ka renditur gjashtë kërkesa që lidhen me funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve, përdorimin e gjuhëve, integrimin evropian dhe gjendjen ekonomike në vend.

Në listën e tij, Osmani vendos si pikë të parë zgjedhjen e Qeverisë me shumicë të Badenterit, ndërsa kërkon që edhe në Gjykatën Kushtetuese të zbatohet vendimmarrja me Badenter për ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë.

Një tjetër kërkesë e tij është rikthimi i Balancuesit dhe garantimi i përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore.

Osmani kërkon gjithashtu rikthimin e autonomisë së Inspektoratit të Gjuhëve dhe, siç shprehet ai, “imponim të zbatimit të Ligjit për Gjuhët”.

Në aspektin politik dhe strategjik, nënkryetari i BDI-së kërkon një zotim të qartë për vazhdimin e integrimit evropian të vendit.

Si pikë të gjashtë, Osmani propozon krijimin e një bordi mbipartiak për ndalimin e kolapsit ekonomik.

“Gjashtë (6) hapat e domosdoshëm për normalizimin e demokracisë multietnike në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Osmani, duke sqaruar se renditja e pikave është e lirë.