Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka dekklaruar se VLEN-i po punon për zgjidhjen e statusit të mijëra të punësuarve në administratën publike që punojnë me kontrata të përkohshme, përmes pajisjes së tyre me vendime për marrëdhënie pune me afat të pacaktuar.
Përmes një statusi publik, Mexhiti thekson se nëpunësit e administratës nuk duhet të trajtohen si vota në shërbim të partive politike, ndërsa vendi i punës nuk duhet të përdoret si mjet presioni apo shantazhi politik.
Sipas tij, me projektligjin e propozuar nga deputetët e VLEN-it synohet të hapet rruga për zgjidhjen e statusit të të punësuarve me kontrata të përkohshme, me kusht që ata t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara.
“Fokusi ynë është i qartë, të krijojmë siguri në punë për mijëra të punësuar me kontratë të përkohshme”, thekson Mexhiti.
Ai nënvizon se miratimi dhe zbatimi i këtij propozimi do të adresonte një problem të trashëguar ndër vite, duke u ofruar të punësuarve më shumë siguri profesionale dhe financiare.
Mexhiti gjithashtu rikujton angazhimin e VLEN-it për zgjidhjen e statusit të të punësuarve në shëndetësi, duke theksuar se i njëjti përkushtim do të vazhdojë edhe për punonjësit e administratës publike.
“Vendi i punës nuk është privilegj partiak dhe paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se puna dhe të ardhurat e familjes së tij varen nga vullneti i një partie”, shprehet ai.
Nga VLEN-i vlerësojnë se ky propozim synon të krijojë kushte më të qëndrueshme për të punësuarit, duke forcuar sigurinë në punë dhe duke ulur mundësinë e ndikimit politik mbi marrëdhëniet e punës.
Megjithatë, kalimi në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar do të varet nga miratimi dhe zbatimi i projektligjit, si dhe nga plotësimi i kushteve të parapara për përfituesit.
Me këtë nismë, VLEN synon të promovojë një administratë publike ku siguria në punë dhe dinjiteti i të punësuarve nuk varen nga përkatësia apo bindjet politike.




