Mbi 500 familje nga komunat e Çairit dhe Butelit pritet të përfitojnë nga rrjeti i ri i ngrohjes, i realizuar përmes një investimi privat prej 2.5 milionë eurosh nga kompania “Tesa Energy”, informon POPULLI.mk
Ministri i Ekologjisë, Muhamet Hoxha, gjatë një vizite në objektin kogjenerues të kompanisë, vlerësoi se ky projekt paraqet një hap konkret drejt transformimit të gjelbër dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit në Shkup.
Sipas Hoxhës, investimi në teknologji moderne dhe ekologjike mundëson efikasitet më të madh energjetik, ulje të ndotjes dhe ajër më të pastër për qytetarët.
Përveç amvisërive, në rrjetin e ri do të përfshihen edhe institucione dhe objekte të rëndësishme publike, përfshirë Gjinekologjinë në Çair, shkolla dhe institucione të tjera.
Ministri Hoxha theksoi se një nga përfitimet kryesore të këtij projekti është edhe kostoja më e ulët e ngrohjes, e cila, sipas tij, do të jetë 20 për qind më e lirë në krahasim me sistemet alternative të ngrohjes qendrore.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve të kësaj pjese të Shkupit që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u kyçur në rrjetin e ri, duke nënvizuar se mbështetja e investimeve private të gjelbra mbetet e rëndësishme për sigurimin e energjisë më të lirë, më të sigurt dhe më të pastër.




